Në sheshin e qytetit të Mitrovicës është mbajtur marshi me rastin e aktivitetit ndërkombëtar “Java e Njeriut me Shkop të Bardhë”, organizuar nga Komuna e Mitrovicës, respektivisht Drejtoria për Mirëqenie Sociale, në bashkëpunim me Shoqatën e të Verbërve të Komunës së Mitrovicës.
Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të institucioneve komunale dhe anëtarë të Shoqatës së të Verbërve, me qëllim të ngritjes së vetëdijes për të drejtat, nevojat dhe sfidat me të cilat përballen kjo kategori e shoqërisë sonë.
Drejtori i Mirëqenies Sociale, Ramdan Beshiri, pasi përshëndeti pjesëmarrësit e marshit, theksoi se Komuna e Mitrovicës po tregon kujdes të shtuar ndaj personave me nevoja të veçanta, si dhe ndaj kategorive të tjera të qytetarëve që kanë nevojë për mbështetje. Ai bëri të ditur se komuna po i mbështet këto kategori edhe materialisht, për t’u mundësuar realizimin e projekteve dhe aktiviteteve të tyre.
Ndërkaq, përfaqësuesit e Shoqatës së të Verbërve të Komunës së Mitrovicës shprehën mirënjohjen e tyre për mbështetjen e vazhdueshme nga komuna, duke vlerësuar rëndësinë e bashkëpunimit institucional në përmirësimin e kushteve dhe përfshirjes së personave të verbër në shoqëri.
Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e kësaj jave, nga Drejtoria e Mirëqenies Sociale është organizuar edhe një drekë festive për anëtarët e Shoqatës së të Verbërve, si dhe ekskursion për personat e verbër dhe shoqëruesit e tyre, me qëllim të krijimit të mundësive për socializim, bashkëbisedim dhe pjesëmarrje të barabartë në aktivitete shoqërore.