Sot u mbajt punëtoria e organizuar nga Komuna e Mitrovicës, përkatësisht Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca, me mbështetjen financiare të UNICEF-it, në kuadër të procesit të rishikimit të Vlerësimit të Rrezikshmërisë nga Fatkeqësitë Natyrore dhe Fatkeqësitë e Tjera.
Punëtorinë e udhëhoqi nënkryetari i Komunës, Enis Osmani, në cilësinë e koordinatorit të Grupit Koordinues, në bashkëpunim me drejtoreshën e Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca, Fitore Mehmeti Behrami.
Në këtë proces janë të përfshirë Grupi Koordinues, Grupi Punues dhe Grupi Mbështetës, me qëllim të koordinimit të aktiviteteve dhe përcaktimit të detyrave e përgjegjësive për hartimin e këtij dokumenti.
Ky vlerësim paraqet një bazë të rëndësishme për identifikimin e rreziqeve, planifikimin e masave parandaluese dhe forcimin e kapaciteteve institucionale për menaxhimin e situatave emergjente.
Komuna e Mitrovicës mbetet e përkushtuar në avancimin e mekanizmave të sigurisë dhe mbrojtjen e qytetarëve nga rreziqet e mundshme.


