Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, ka bërë të ditur se ka marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes për zhvillimin e Eko-Parqeve Industriale, ndërmjet Qeverisë së Kosovës, IFC-së dhe Bankës Botërore.
Kryetari Peci theksoi se Mitrovica tashmë është në proces të zbatimit të projektit investiv për Parkun Industrial, i cili pritet të hapë rrugë për investime të reja, zhvillim të prodhimit dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
Ai bëri të ditur se parku do të ofrojë kushte moderne me standarde evropiane, duke krijuar mundësi të reja ekonomike për qytetin dhe qytetarët e tij.
Ky projekt përbën një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit ekonomik të Mitrovicës, rritjes së punësimit dhe krijimit të një mjedisi më të favorshëm për bizneset dhe investitorët.