Me qëllim të sensibilizimit të gjendjes së rëndë sa i përket shërbimeve shëndetësore në rajonin e Mitrovicës, drejtuesit e tri komunave të këtij rajoni, Mitrovicës, Skenderajt dhe Vushtrrisë, kanë organizuar të martën një takim ku kanë marrë pjesë ministra, zëvendësministra, deputetë të Kuvendit të Kosovës etj. Kryetarët e këtyre komunave, Avni Kastrati, Bajram Mulaku dhe Sami Lushtaku, kanë thënë se rajoni i Mitrovicës është i diskriminuar sa i përket trajtimit që i bëhet në fushën e shëndetësisë nga institucionet qendrore. Për këtë, kryetari i Mitrovicës, Avni Kastrati, ka krahasuar Mitrovicën me Gjakovën, Pejën dhe Gjilanin. Sipas të dhënave që ka sjellur ai, Mitrovica është e diskriminuar me numër të punëtorëve, të mjekëve dhe të infermierëve. “Këto komuna kanë numër të përafërt të popullsisë, madje Mitrovica ka numër më të lartë të banorëve se Gjakova, numri i punëtorëve shëndetësorë në spitalin rajonal të Mitrovicës është shumë më i vogël”, duke sqaruar se në Gjakovë janë 525 punëtorë, në Gjilan 527, në Pejë 562, ndërsa në Mitrovicë 312”. Sipas krahasimit të bërë, ai theksoi se Mitrovica del të jetë e diskriminuar edhe me numrin e mjekëve, meqë derisa në këto komuna tjera të referimit ka mbi 80 mjekë, në Mitrovicë numërohen vetëm 48 sish. “Poashtu një gjë e tillë ndodh edhe me infermierët”, tha kryetari Kastrati, duke kërkuar që tash e tutje Mitrovica të trajtohet në mënyrë të barabartë me rajonet tjera në fushën e shëndetësisë. Drejtoresha e spitalit rajonal në Mitrovicë, Drita Fazliu, ka thënë se problem kryesor mbetet mungesa e kuadrit. “Të tjerat po bëhen disi, objektet janë duke u kryer me ndihmën e qeverisë norvegjeze, Ministria e Shëndetësisë po ndihmon me pajisje, por punët qëndrojnë keq me kuadro, prandaj shumë reparte që janë të gatshme për punë në spitalin e ri në jug të qytetit, nuk mund të funksionalizohen në mungesë të mjekëve. “Në repartin e kirurgjisë kemi 5 salla të operacionit të gatshme, mirëpo nuk ka mjekë”.