Nënkryetari i Komunës së Mitrovicës, Enis Osmani, ka vlerësuar suksesin e turneut “Mitrovica Streetball 2026”, i cili bashkoi ekipe nga qytete të ndryshme të Kosovës, si dhe nga Shkupi e Tirana.
Turneu u zhvillua në një atmosferë të zjarrtë, duke u ofruar sportdashësve mitrovicas një spektakël të vërtetë basketbolli dhe duke dëshmuar edhe një herë dashurinë e madhe të qytetit për këtë sport.
Në organizimin dhe mbarëvajtjen e këtij aktiviteti kontribuuan Komuna e Mitrovicës, përmes Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, e udhëhequr nga drejtori Gazmend Asllani, si dhe partnerë e mbështetës të tjerë.
Nënkryetari Osmani ka falënderuar ikonën e basketbollit kosovar, Dirlon Hajrizin, si dhe të gjithë ata që mbështetën realizimin e këtij aktiviteti sportiv.
Në përfundim të turneut, ekipi nga Shkupi u shpall fitues i “Mitrovica Streetball 2026”.