Nënkryetari i Komunës së Mitrovicës, Enis Osmani, së bashku me drejtorin e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Gazmend Asllani, kanë vizituar Klubin e Tenisit “Trepça”, ku kanë vlerësuar të arriturat dhe sukseset e këtij klubi.
Gjatë vizitës, Osmani ka përgëzuar klubin për angazhimin dhe përkushtimin e vazhdueshëm, duke arritur titullin e kampionit për klube në kategorinë e femrave për sezonin 2024–2025.
Një prej shembujve të suksesit të klubit është tenistja Learta Muharremi, e cila është shpallur pesë herë kampione e Kosovës gjatë vitit 2026, nën drejtimin e trajnerit Burim Çitaku.
Me këtë rast, nënkryetari Osmani ka theksuar se Komuna e Mitrovicës do të vazhdojë të investojë në zhvillimin e tenisit, duke paralajmëruar ndërtimin e pesë fushave të reja, përfshirë edhe fushën e parë të mbyllur të tenisit gjatë këtij mandati.
Këto investime synojnë krijimin e kushteve më të mira për sportistët, mbështetjen e talenteve të reja dhe zhvillimin e mëtejmë të sportit në Mitrovicë.






