Në 27-vjetorin e rënies heroike, Komuna e Mitrovicës ka organizuar homazhe për të nderuar dhe përkujtuar dëshmorët e kombit, Agim (Rrahim) Ramadani dhe Mustaf Shyti.
Në varrezat e dëshmorëve në Shipol, kryetari i Komunës, z. Bedri Hamza, së bashku me drejtues komunalë, familjarë dhe bashkëluftëtarë, bënë homazhe dhe vendosën lule në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për jetën dhe veprën e tyre.
Me këtë rast, kryetari Hamza u shpreh se kujtimi i dëshmorëve mbetet një obligim i përhershëm për gjeneratat e sotme dhe ato të ardhshme.
“Gjithmonë them se njerëzit e mëdhenj i nderojmë më së miri nëse i kujtojmë ashtu siç ishin, andaj Agimin dhe Mustafen do t’i kujtojmë si intelektualë dhe personalitete unike. Lavdi jetës dhe veprës së tyre”, tha kryetari Hamza në fjalën e tij.