Sot u përkujtua me nderim dhe respekt 26-vjetori i rënies së Komandant Shemsi Ahmetit, një prej figurave më të shquara të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe protagonist i Betejës legjendare të Melenicës.
Në këtë përvjetor, nënkryetari i komunës Arian Tahiri, drejtorët komunalë, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, gjenerali Rrahman Rama, familjarë dhe bashkëluftëtarë të heroit, bënë homazhe pranë lapidarit të tij dhe në varrezat e dëshmorëve në Shipol. Me këtë rast, u vendosën buqeta me lule të freskëta, në shenjë nderimi për sakrificën e tij dhe të bashkëluftëtarëve.
Beteja e Melenicës, ku Shemsi Ahmeti u dallua për heroizmin e tij, konsiderohet si një nga betejat më të lavdishme të UÇK-së. Luftimet zgjatën 39 ditë pa ndërprerje dhe u kthyen në një simbol të qëndresës shqiptare, e njohur ndryshe si “Epopeja e Melenicës”.
Komandant Shemsi Ahmeti, i njohur si Komandanti i madh i Shalës, është nderuar me urdhrin “Hero i Kosovës”. Emri dhe vepra e tij janë përjetësuar në emërtime rrugësh, shesheve, shkollave, këngëve, poezive dhe monumenteve përkujtimore. Në zemër të Mitrovicës qëndron krenare edhe shtatorja e tij, si dëshmi e lavdisë së tij të pavdekshme.
Në kuadër të këtij përvjetori, Komuna e Mitrovicës organizoi edhe turnirin memorial në futsall dhe në shah, në nderim të jetës dhe veprës së Komandant Shemit.
Lavdi e përjetshme Komandantit Shemsi Ahmeti!
Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit!