Pjesëtarë të Policisë së Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-it prej 27 deri më 28 korrik 2010 do të mbajnë një ushtrim të përbashkët në zonën e Zubin Potok. Zyra për informim e KFOR-it njofton se njësi të ndryshme nga “Battle” grupet shumëkombëshe dhe forcat rezerve të KFOR-it do të jenë pjesë e këtij trajnimi nën komandën e KFOR-it sipas një skenari operacional. “Qëllimi i këtij ushtrimi është zgjerimi i bashkëpunimit mes Policisë së Kosovës, EULEX-it dhe KFOR-it për të trajnuar procedurat pozicionuese të operacioneve të përbashkëta. Kjo është gjithashtu një mundësi për të informuar personelin e ri pas rotacioneve. Ky ushtrim është pjesë e një cikli trajnues me afat të gjatë që ka për qëllim të zhvillojë edhe më tej aftësitë dhe ndër-operacionalitetin e KFOR-it”, thuhet në komunikatë. Theksohet se policët dhe ushtarët do të angazhohen me automjete të numërta, përderisa ky ushtrim nuk është përgjigje përgatitje për çfarëdo situate të vazhdueshme apo të papritur në Kosovë. Vlerësohet se bashkëpunimi mes Policisë së Kosovës, EULEX-it dhe KFOR-it është njëra nga shtyllat për ruajtjen e një ambienti të qetë dhe të sigurt dhe lëvizjen e lirë në të mirë të popullit të Kosovës.