Nënkryetari i Komunës së Mitrovicës, Enis Osmani, ka ndarë emocionet e tij pas pjesëmarrjes në shfaqjen “Qark i (Pa)Mbyllur Burgjesh”, të mbajtur sonte në Teatrin “Muharrem Qena” në Mitrovicë.
Në mesin e të pranishmëve ishte edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Osmani ka vlerësuar se shfaqja, përmes rrëfimit të autorit Enver Dugolli, solli para publikut kujtimet dhe përjetimet e së kaluarës së popullit shqiptar, duke pasqyruar të vërtetën, vuajtjet dhe torturat që të burgosurit politikë shqiptarë përjetuan në burgjet e Serbisë.
Sipas tij, e kaluara nuk duhet të harrohet, por duhet të rikthehet në memorien kolektive të popullit, gjeneratë pas gjenerate, për të kujtuar rrugën e vështirë të kaluar dhe sakrificat e bëra.
“Një popull që harron të kaluarën e tij është i dënuar ta përsërisë atë”, ka cituar Osmani filozofin George Santayana.
Në fund të postimit të tij, nënkryetari Osmani ka shprehur mirënjohje të veçantë për autorin e shfaqjes, Enver Dugolli: “Faleminderit, Enver Dugolli, sinqerisht faleminderit!”.