Policia ka sekuestruar të enjten gjatë një aksioni 950 litra derivate të naftës dhe rreth 1600 litra vaj motorik. Zëdhënësi i policisë, Besim Hoti, tha se në tri automjete që besohej të funksiononin në grup, janë ndaluar nga policia për përfshirje në kontrabandë me mallra në magjistralen Mitrovicë – Prishtinë, përkatësisht në fshatin Nadakovc të Vushtrrisë. “Automjeti i parë, një “VË Passat”, me targa “KS”, është ndaluar nga policia ndërsa prapa tij po qarkullonin edhe dy automjete për të cilat policia besonte se ishin në bashkëveprim. Dy automjetet tjera, një “Golf 2” dhe një “VW Jetta”, me targa “KS”, janë ndaluar gjithashtu në lokacionin e njëjtë. Në të tri automjetet e identifikuara, policia ka zbuluar mallra të dyshuara të kontrabanduara, përkatësisht derivate të naftës dhe vajra motorik”. Hoti tha se automjetet së bashku me mallin e dyshuar të kontrabanduar, janë deponuar në terminalin doganor të Mitrovicës, për regjistrim të rastit dhe inicim të procedurave hetimore. “Në të njëjtën ditë, rreth orës 12:30min, në fshatin Suhadoll të Mitrovicës, Njësia Speciale Operative e Mitrovicës, ka ndaluar një automjet i cili po transportonte një sasi të pijeve joalkoolike pa ndonjë dokumentacion përkatës për prejardhjen e mallit. Gjithsej, 768 litra, të pijeve joalkoolike janë sekuestruar nga autoritetet doganore në Mitrovicë, për inicim të procedurave të mëtejme ligjore”. Policia ka regjistruar rastet si vepër penale “Kontrabandë me mallra” ndërsa prokurori publik është informuar për të gjitha veprimet e ndërmarra të policisë