Gjithsej 2160 litra të derivateve të naftës, janë sekuestruar të martën nga policia për të cilat dyshohet të jenë të kontrabanduara. Policia njoftoi se janë sekuestruar 108 bidonë, secili prej tyre me nga 20 litra. Noftohet se rreth orës 07:45min, hetuesit policor të përcaktuar në grupin punues për identifikimin dhe luftimin e kontrabandës në kuadër të planit të veprimit policor, kanë identifikuar një automjet të dyshuar të tipit “Volkswagen kombi”, ngjyrë e gjelbër, me targa “KS”, i cili po qarkullonte në rrugën “Fadil Deliqi” të lagjes Bair të Mitrovicës në drejtim të fshatit Frashër. Sipas zëdhënësi të policisë, ngasësi i automjetit, i paidentifikuar, nuk ka përfillur urdhrat e dhënë të policisë në sinjalizimin e ndaljes, dhe i njëjti ka ngritur shpejtësinë e automjetit të tij duke vazhduar në drejtim të një shtëpie private në lagjen Bair. “Në pamundësi të shmangies së tij nga policia, i dyshuari ka ndalur automjetin e tij dhe pasi ka braktisur të njëjtin, ka filluar arratisjen e tij në këmbë, në drejtim të panjohur. Në automjetin të cilën e kishte braktisur i dyshuari, policia ka identifikuar sasi të derivateve të naftës të mbushura në bidonë të plastikës. Lidhur me këtë, hetuesit policor kanë kërkuar asistencën e zyrtarëve të doganave të Kosovës, për të sekuestruar mallin e dyshuar të kontrabanduar”. Automjeti së bashku me mallin e dyshuar të kontrabanduar, janë deponuar në terminalin doganor të Mitrovicës, për regjistrim të rastit dhe inicim të procedurave hetimore.