Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, ka njoftuar për finalizimin e asfaltimit të mbi 2 kilometra rrugë në fshatin Melenicë, investim ky që synon përmirësimin e infrastrukturës dhe lehtësimin e jetës për banorët e zonës së Shalës.
Sipas kryetarit Peci, ky projekt pritet të ndikojë pozitivisht edhe në zhvillimin e turizmit dhe agroturizmit në këtë trevë me potencial të madh natyror e kulturor.
Po ashtu, ai ka bërë të ditur se gjatë këtij viti do të hartohet strategjia 10-vjeçare për zhvillimin e Shalës, e cila do të përfshijë projekte konkrete në infrastrukturë, energji, bujqësi e blegtori, arkeologji, trashëgimi natyrore e kulturore, si dhe agroturizëm.
“Shala ka potencial të jashtëzakonshëm dhe së bashku do ta zhvillojmë me punë e përkushtim”, ka theksuar kryetari Peci.