Tre persona, një serb dhe dy shqiptarë, janë arrestuar të mërkurën në veri të Mitrovicës, pas një shpërthimi dhe të shtënave me armë që ka ndodhur në Lagjen e Boshnjakëve. Zëdhënësi i policisë, Besim Hoti, tha se në bazë të raporteve të para mësohet se mjeti eksplodues i llojit ende të papërcaktuar dhe të shtënat nga armë automatike janë regjistruar të mërkurën rreth orës 23:00min. Sipas tij, policët patrullues të stacionit veri, të cilët ishin në vend ngjarje, kanë identifikuar të dyshuarin V.Nikiq (1988), të përkatësisë etnike serbe, duke lëvizur në rrugën “Luja Braja” drejt rrugës “Vojvode Bojoviqa” me armë automatike në dorë. “Policët e parë në vend ngjarje, para se të ndërmerrnin ndonjë veprim shtesë kundër të dyshuarit të armatosur, për shkaqe sigurie kanë bërë përpjekjet maksimale që fillimisht të largojnë nga rrugët e lagjes, banorët tej mase të shqetësuar të cilët kishin dalë jashtë shtëpive për të vështruar se çfarë po ndodhte. Derisa policët po përcillnin lëvizjet e të dyshuarit, në atë kohë janë dëgjuar edhe dy të shtëna rafal dhe një shpërthim i cili dukej të kishte zënë vend në Lagjen e Boshnjakëve, përkatësisht në rrugën “Luja Braja”. Policia e Kosovës ka arritur që të bllokojë drejtimin e rrugës prej nga vinte i dyshuari për të shtëna me armë, dhe në atë moment, i njëjti është vërejtur pa armë në dorë. Besohet se i njëjti ka arritur që të largojë armën nga posedimi duke e hedhur atë në ndonjë vend ende të paidentifikuar”. Hoti tha se në momentin e përballjes së të dyshuarit me zyrtarët policor, i njëjti ka rezistuar fizikisht tentimit të policisë për ta vënë nën kontroll. “Sidoqoftë, i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në stacionin policor veri të Mitrovicës”, tha ai, duke shtuar se nuk ka pasur të lënduar. Në vend ngjarje, policia ka gjetur dhe marrë si pjesë të provave materiale disa gëzhoja të pushkës automatike si dhe një karikator të automatikut, që besohet të i përkisnin armës së përfshirë në rast. Pak qaste më vonë, Policia e Kosovës ka arrestuar dhe shoqëruar në stacionin policor edhe dy persona të tjerë, të përkatësisë etnike shqiptar, S.Peci 1954 dhe Xh.Nuhi1980, për dyshim të përfshirjes së tyre në rastin e regjistruar. Të tre personat e arrestuar janë regjistruar në polici në cilësi të dyshuarve, dhe që të tretë kanë rezultuar të jenë nën ndikim të alkoolit. Besohet se tre të dyshuarit, paraprakisht ishin takuar në mes vete dhe më pas kishte lindur një mosmarrëveshje në mes tyre. Hoti tha se të tre të dyshuarit, njihen në mes vete, përndryshe janë banorë të Lagjes së Boshnjakëve në rrugën “Luja Braja” ndërsa policia përjashton mundësinë e kualifikimit të këtij akti kriminal si rast me prapavijë ndëretnike. Motivet e këtij akti kriminal të regjistruar si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” besohet të jenë të karakterit kriminal.