Kampioni i Kosovës në basketboll ka emër: Trepça. Skuadra mitrovicase ka arritur të mbrojë me sukses titullin e fituar sezonin e kaluar, duke triumfuar në serinë finale ndaj Bashkimit me rezultat të përgjithshëm 4:2.
Finalja e gjashtë, e zhvilluar në atmosferën e zjarrtë të palestrës “Minatori”, përfundoi me fitoren e Trepçës 82:67, duke e vulosur kështu kurorën e kampionit për edicionin 2024/2025. Ishte një mbrëmje spektakolare basketbolli, me lojtarë që dhanë maksimumin në parket dhe me mbështetjen e pandalshme të tifozëve mitrovicas, veçanërisht Torcidës, që krijuan një atmosferë të paharrueshme.
Pas kësaj fitoreje të madhe, Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, uroi klubin, lojtarët dhe tifozët për suksesin e merituar. “Urime Trepçës për një sezon të jashtëzakonshëm, për përkushtimin dhe shpirtin luftarak në çdo ndeshje. Urime lojtarëve për performancën e tyre të shkëlqyer dhe, sigurisht, urime Torcidës për mbështetjen e palëkundur – ju jeni zemra e këtij klubi,” u shpreh Hamza.
Kjo fitore konfirmon edhe një herë Trepçën si një nga klubet më të fuqishme dhe më të qëndrueshme në basketbollin kosovar, duke ngritur lart emrin e Mitrovicës në arenën sportive vendore.