Komuna e Mitrovicës ka mbajtur dëgjimin e dytë publik për hartimin e Buxhetit Komunal për vitet 2027–2029, në ShFMU “Xhevat Jusufi”, në fshatin Bare.
Në dëgjimin buxhetor morën pjesë Nënkryetari i Komunës, Enis Osmani, Drejtori për Buxhet dhe Financa, Gazmend Gjoshaj, zyrtari kryesor financiar, Zenel Çitaku, zyrtarë të administratës komunale dhe qytetarë të këtij fshati.
Në hapje të takimit u prezantuan kufijtë buxhetorë të planifikuar për vitin 2027, duke u bërë e ditur se buxheti i përgjithshëm i Komunës për vitin 2027 është planifikuar në vlerë prej 34,045,130 euro, i ndarë sipas kategorive ekonomike si më poshtë:
Paga dhe Mëditje: 18,950,980 euro
Mallra dhe Shërbime: 5,100,000 euro
Shpenzime Komunale: 700,000 euro
Subvencione dhe Transfere: 1,294,150 euro
Investime Kapitale: 8,000,000 euro
Gjatë takimit, banorët e Bares paraqitën kërkesat dhe propozimet e tyre për investime në infrastrukturë dhe shërbime publike.
Duke iu përgjigjur kërkesave të qytetarëve, Nënkryetari i Komunës, Enis Osmani, theksoi se Komuna do të trajtojë me prioritet projektet më urgjente dhe se planifikimi i investimeve do të bazohet në nevojat reale të qytetarëve dhe mundësitë buxhetore.
Qytetarët e mirëpritën organizimin e këtij dëgjimi buxhetor, duke e vlerësuar atë si një mundësi të rëndësishme për të kontribuar me propozime dhe ide konkrete në procesin e hartimit të buxhetit komunal.


