Përfaqësuesit e strukturave politike dhe të sigurisë në Mitrovicë kanë vlerësuar të hënën në Komitetin e Sigurisë punën profesionale të Policisë së Kosovës në menaxhimin e situatës së krijuar të dielën në urën e Ibrit, pas provokimeve nga pala serbe të protestuesve shqiptarë. Gjithashtu është vlerësuar edhe puna e KFOR-it dhe EULEX-it si dhe koordinimi i mirë në mes të autoriteteve të sigurisë. Kryetari i komunës, Avni Kastrati, ka thënë se e diela ka qenë shumë e ngarkuar me ngjarje dhe situata ishte shumë e tensionuar. “Përveç protestës së organizuar nga Shoqata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së për të kundërshtuar zgjedhjet e organizuara nga Serbia në veri të vendit, me ç’rast në cepin verior të urës u mblodhën qindra qytetarë serbë, të cilët provokuan në mënyrë të ndryshme, të dielën është mbajtur edhe një koncert i organizuar nga UNICEF-i për Ditën e Fëmijëve, ndërsa në mbrëmje u zhvillua ndeshja futbollistike mes Trepçës dhe Besës ku ishin mbledhur 20 mijë shikues”.
Ndërsa duke u ndërlidhur me gjendjen e krijuar në urën e Ibrit, ai tha se fal reagimit profesional të strukturave të sigurisë si dhe maturisë së protestuesve shqiptarë, situata nuk ka eskaluar. Në anën tjetër, ai kërkoi nga autoritetet gjegjëse që të marrin masa ndaj atyre që kanë prokuruar situatën. “Gjithçka që ka ndodhur të dielën është e qartë, dihen personat e komunitetit serb nga veriu që kanë provokuar situatën, ata që kanë hedhur gurë dhe që kanë shtënë me armë zjarri, andaj duhet masa në mënyrë që të jetë e qartë se veprime të tilla janë të patolerueshme”.
Nëse nuk ndodh një veprim i tillë, kryetari Kastrati, potencoi se kjo do t’i trimëronte ata që ushtrojnë dhunë. “Institucionet duhet të veprojnë dhe t’ua bëjnë të ditur të gjithëve se Kosova ka ligje dhe rend, ku lejohet shprehja e pakënaqësisë në mënyrë demokratike, por jo edhe dhuna”.
Ai ka përsëritur edhe një herë se për institucionet kosovare zgjedhjet e organizuara të dielën nga Serbia në veri të Kosovës janë ilegale dhe të papranueshme. Ndërsa për numrin e vogël të qytetarëve serbë që kanë dalur në këto zgjedhje, ai theksoi se kjo nuk mund të ndërlidhet assesi me protestën e organizuar në jug, por me demoralizimin e kësaj popullate në politikën e Beogradit që për dhjetë vite vazhdon të manipuloj me ta.
Edhe drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, ka folur për punën e mirë dhe profesionale të Policisë së Kosovës, EULEX-it dhe KFOR-it si dhe për organizimin e mirë të Shoqatës së Veteranëve të UÇK-së, të cilët nuk kanë lejuar që situata të eskaloj. Ndërsa përfaqësuesit e KFOR-it kanë potencuar se Policia e Kosovës EULEX-i kanë bërë punë të mirë, ndërsa ushtarët e KFOR-it gjatë gjithë kohës kanë qenë të gatshëm për të intervenuar.
Komandanti i stacionit policor në jug, kap. Bashkim Spahiu, gjithashtu ka vlerësuar se reagimi i policisë ka qenë në nivel dhe i efektshëm. “Sipas raporteve të fundit nga hedhja e mjeteve të forta nga personat e mbledhur në veri janë lënduar lehtë dy pjesëtarë të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës. Ndërsa ndaj dy personave kanë nisur hetimet për “Prishje të rendit dhe qetësisë publike”.