Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, së bashku me nënkryetarin, Enis Osmani, drejtorët e drejtorive komunale, si dhe familjarë, kanë përkujtuar Faruk Spahiun, kryetarin e parë të Mitrovicës, në 21-vjetorin e ndarjes nga jeta, duke bërë homazhe pranë varrit të tij në varrezat e qytetit në Shipol.
Kryetari Peci ka vlerësuar kontributin e tij në angazhimin politik, çështjen kombëtare dhe ndërtimin e institucioneve qendrore e lokale.
Ai ka kujtuar figurën e Spahiut, të cilin e ka cilësuar si një personalitet të veçantë, bashkëpunëtor të presidentit historik Ibrahim Rugova, i dalluar për mendimin politik, karizmën dhe virtytet njerëzore, duke theksuar se kishte fatin dhe nderin ta njihte nga afër që në rini dhe ta kishte burim frymëzimi.
Peci ka rikujtuar gjithashtu angazhimin e Faruk Spahiut si veprimtar gjatë viteve të ’90-ta dhe më pas si kryetar i parë i Mitrovicës, duke theksuar se formimi dhe rrugëtimi i tij ishin të lidhura ngushtë me traditat e dëshmuara patriotike të familjes së tij.
Në përfundim, kryetari Peci ka shprehur nderimin për figurën dhe veprën e tij, duke theksuar se kujtimi për angazhimin patriotik dhe kontributin institucional të Faruk Spahiut do të mbetet i përjetshëm.