Në një takim të përbashkët të zyrtarëve komunal dhe përfaqësuesve të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), mbajtur në ambientet e administratës komunale, është diskutuar lidhur me gjendjen e Komunës së Mitrovicës pas monitorimit nga ekipi i MAPL-së.
Në takim, që drejtohej nga kryesuesi i Kuvendit të Komunës, Jeton Ujkani, e ku ishte i pranishëm edhe nënkryetari i Komunës, Faruk Mujka, Kujtim Aliu, udhëheqës i ekipit monitorues të MAPL për Komunën e Mitrovicës, drejtorët e drejtorive komunale etj, është thënë se qëllimi kryesor i këtij takimi është zbatimi i planit të monitorimit.
Të pranishmit u dakorduan se plani ka për qëllim ngritjen e efektivitetit të organeve të komunave në ushtrimin e kompetencave, përmirësimin e ofrimit të shërbimeve komunale si dhe përkrahjen dhe bashkëpunimin e qëndrueshëm në mes të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Komunës së Mitrovicës.
Përfaqësuesi nga MAPL, Kujtim Aliu, tha se monitorimi i Komunës së Mitrovicës është realizuar nga katër objektiva: Funksionimi i organeve të komunave dhe zbatimi i legjislacionit; Transparenca komunale; Të drejtat e njeriut dhe integrimet evropiane.
Lidhur me këtë Kujtim Aliu theksoi se gjendja në Komunën e Mitrovicës është mjaft e mirë, sepse Kuvendi i Komunës ka bërë punë të mirë, ka pasur harmoni të mirë, nuk ka pasur ndonjë vështirësi dhe të gjitha vendimet kanë kaluar.
Në fjalën e tij Kryesuesi i Kuvendit të Komunës, Jeton Ujkani, tha se Kuvendi i Komunës nuk ka pas vështirësi dhe problem në punët e tij dhe se i ka miratua të gjitha vendimet në harmoni me ligjet përkatëse, duke i respektuar edhe të gjitha procedurat përkatëse.
Nënkryetari i Komunës, Faruk Mujka, falënderoj përfaqësuesit e MAPL për vizitën dhe bashkëpunimin që e kanë vazhdimisht, si dhe për transparencën e plotë që kanë ndaj komunës.
Marrë në përgjithësi, pjesëmarrësit e takimit vlerësuan se Komuna e Mitrovicës qëndron mirë në raport me katër objektivat e lartpërmendur dhe se gjendja kryerjes së punëve dhe obligimeve është në nivel të kënaqshëm.