Të premten , International Business College Mitrovica organizoi Appreciation Day në kuadër të IBC-M International Week, një ngjarje që mblodhi së bashku të gjithë përkrahësit e IBC-M, donatorë e partner vendor e ndërkombëtar.
Mes te pranishmëve ishte edhe nënkryetari i komunës Faruk Mujka, përfaqësues nga Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë, Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillmit Rural, Ambasada Holdanze në Kosovë, Ambasada Suedeze në Kosovë, OJQ Spark, shkollat e mesme dhe dhjetëra organizata patnere nga sektori jo-qeveritar dhe ai privat.
Në shenjë vlerësimi, IBC-M ndau çertifikata mirënjohje për të gjithë që kanë kontribuar në misionin e Kolegjit.
Përgjatë Javës Ndërkombëtare në IBC-M ishin të pranishëm edhe 20 studentë nga Exeter University nga Britania e Madhe të cilët së bashku me studentët e IBC-M punuan në hulumtime mbi temën ‘Sfidat socio-ekonomike të rajonit’ dhe prezentuan gjetjet e tyre të premten.
Gjatë ceremonisë së ndarjes së mirënjohjeve të pranishëm ishin mbi 150 mysafirë.
Të pranishmit u mirëpritën nga drejtoresha e Kolegjit Znj. Mihone Kerolli Mustafa e cila falenderoi përzemërsisht donatorët, si dhe të gjithë partnerët që kanë qënë pranë IBC-M që nga fillimi e deri më sot. Znj. Kerolli theksoi se të gjithë në IBC-M ndihen shumë krenar për punën e bërë deri më sot në ofrimin e një arsimimi të lartë cilësor për të gjithë komunitetet në Kosovë.
Z. Mellish nga Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë shprehu përkushtimin e Bashkimit Europian në përkrahjen e arsimit në Kosovë dhe përkrahjën e pajtimit mes komuniteteve. Z. Verheyen, zëvendës shef i misionit të ambasadës së Holandës në Kosovë dhe Z. Paulson, zëvendës shef i misionit të Ambasadës së Suedisë dhe Shefi i Bashkëpunimit për Zhvillim – theksuan përkrahjen e tyre për punën e IBC-M duke kujtuar të gjitha që kemi kaluar së bashku. Ambasadat e Holandës dhe Suedisë kanë qenë prej përkrahësve kryesorë të IBC-M që nga fillimi.
Në fjalën e tij, zv. Ministri i Arsimit Z. Heset Sahiti vlerësoi lartë punën e Kolegjit në ofrimin e një edukimi unik për të rinjtë e vendit që përputhet me nevojat e tregut të punës. Zëvendës ministri poashtu falenderoi donatorët dhe kolegjin që kanë mundësuar që vlerat europiane të arsimit të lartë në Kosovë të jenë të qasshme për të rinjtë e vendit.
Në fjalën e tij nënkryetari i komunës Faruk Mujka, vlerësoi shumë bashkëpunimin me Kolegjin dhe shprehu falendërimin për donatorët që e benë këtë të mundur. Nënkryetari Mujka, ritheksoi përkushtimin e Komunës për përkrahjen e edukimit dhe të rinjeve të qytetit.
Nga MBPZHR i pranishëm ishte vetë ministri Rikalo i cili vlerësoi poashtu lartë bashkëpunimin me IBC-M dhe ritheksoi mbështetjen për punën e Kolegjit e në veçaniti theksoi bashkëpunimin me Departamentin e Menaxhimit të Mjedisit dhe Bujqësisë në IBC-M.
IBC-M është institucion i arsimit të lartë në Mitrovicë i cili ofron studime të nivelit Academy Profession (AP) dhe Bachelor në gjuhën angleze për të gjitha komunitetet në vend. Kolegji përkrahet nga Bashkimi Europian. IBC-M operon që nga 2010 si një fondacion arsimi i regjistruar ndërkombëtar jo-profitabil.
IBC-M është themeluar me donacione nga: Swedish International Development Cooperation Agency (SIDA); Danish Ministry of Foreign Affairs; Dutch Ministry for Development Cooperation; UK Government Department for International Development (DFID); Swiss Confederation dhe European Union Office in Kosovo.