Kryetari i Komunës së Mitrovicës Faton Peci, ka vizituar pas më shumë se 27 vitesh, vendin e quajtur “Të Hopat”, vendin ku më 29 prill 1999, gjatë luftës në Kosovë, forcat serbe vranë dhe morën peng 11 kushërinj dhe mysafirë.
Të gjithë ata u gjetën të vrarë.
Njëri prej mysafirëve, dhëndër i familjes, Besim Kadriu, ishte lënë për i vdekur, por kishte mbijetuar. Pas 24 orësh, ai u gjet ende gjallë në mal nga Kryetari Faton Peci. Atëherë ishte vetëm 16-vjeçar. Për kujdesin ndaj tij u angazhua intensivisht edhe vëllai i tij, Jetoni, së bashku me disa kushërinj.
Besim Kadriu kishte pësuar plagë të rënda nga plumbat “dum-dum”. Plumbat i kishin shkaktuar dëmtime të rënda në nofull, hundë dhe fytyrë, ndërsa kishte humbur njërin sy.
Kjo është vetëm njëra prej ngjarjeve të rënda që kryetari ka përjetuar gjatë luftës në Mitrovicë dhe në fshatin e tij, Zhazhë.
Pas më shumë se 27 vitesh, ai ka nisur të dokumentojë përjetimet dhe dëshmitë e tij nga lufta, duke theksuar rëndësinë që edhe qytetarët e Kosovës të shkruajnë, tregojnë dhe dokumentojnë përvojat e tyre.
“Secila dëshmi ka rëndësi. Secili rrëfim është pjesë e historisë sonë”, ka theksuar ai.
Në këtë frymë, Komuna e Mitrovicës synon që në të ardhmen të krijojë Muzeun Alternativ të Hjekave të Luftës për Mitrovicën, ku synohet të arkivohen dëshmi, rrëfime dhe materiale që dokumentojnë përvojat e qytetarëve gjatë luftës.
Qëllimi është që këto dëshmi të ruhen dhe t’u përcillen brezave të ardhshëm, në mënyrë që krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë të mos harrohen dhe e vërteta historike të dokumentohet.
Për ata që u vranë.
Për ata që mbijetuan.
Për të vërtetën që duhet ta dinë brezat e ardhshëm, sepse këtë ia kemi borxh atyre dhe Kosovës!