Dje, në ambientet e truallit të heroit në Dubovik, u shënua ditëlindja e veprimtarit të shquar shqiptar dhe heroit të Kosovës, Jusuf Gërvalla.
Në këtë përkujtim morën pjesë kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, së bashku me vajzën e Jusuf Gërvallës, zëvendëskryeministren e dytë dhe ministren e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ministrin e Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, familjarë, bashkëpunëtorë dhe veprimtarë të tjerë.
Gjatë ceremonisë, kryetari Faton Peci vlerësoi lart figurën dhe veprën e Jusuf Gërvallës, duke e cilësuar atë si një prej figurave të rëndësishme të emancipimit kulturor dhe patriotik të shqiptarëve.
“Liriku e atdhetari i përjetshëm, frymëzuesi për flijim, liri e pavarësi, sot do t’i mbushte 81 vjet. Bashkë me guximtarët tanë e me familjen e Jusufit, shënuam ditën kur erdhi në këtë jetë avangarda e emancipimit kulturor e patriotik të shqiptarëve, heroi i Kosovës, Jusuf Gërvalla. Emri e vepra e tij e madhërishme u kujtoftë përjetësisht”, tha kryetari Faton Peci.