Sot, në sallën e Kuvendit të komunës së Mitrovicës është mbajtur diskutimi publik për Draft- rregulloren për taksa, tarifa dhe gjoba komunale si dhe për Draft- rregulloren për tatimin në pronën e paluajtshme.
Në këtë diskutim të pranishëm ishin drejtorët komunal, ai i drejtorisë për Financa dhe Zhvillim Ekonomik, Shukri Gashi, drejtori për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, Egzon Jashari, drejtori i Administratës, Hysen Muzliukaj, drejtori i Inspeksionit, Hysni Ahmeti, sekretari i Kuvendit, Nazmi Jashari, zyrtarë tjerë komunale, si dhe një numër i qytetarëve.
Fillimisht drejtori për Financa dhe Zhvillim Ekonomik, Shukri Gashi, ka prezantuar dy draft- rregulloret komunale, me ç’rast tha se rregullorja për taksat, tarifat dhe gjobat komunale ka për qëllim që të përcaktojë lartësinë e tyre për shërbimet administrative të komunës, dhe në këtë mënyrë do të ofrohen shërbime sa më cilësore për qytetarët. Po ashtu ai theksoi se përmes kësaj rregulloreje të gjitha bizneset në Mitrovicë do të lirohen nga taksa komunale me përjashtim të bankave komerciale, kompanitë e sigurimeve, kazinot, bastoret, statcionit- pompet e derivateve me restaurante/piceri, universitetet private, poliklinikat/ spitalet private e disa të tjera.
Të dy Draft- rregulloret kanë marrë aprovimin e Kuvendit Komunal të Mitrovicës për të dalë në diskutim publik, e pastaj prapë të procedohet për miratim në Kuvend.
Në këtë diskutim të pranishmit përpos që janë njoftuar me propozim- ndryshimet që janë bërë në këto dy draft- rregullore, ata kanë parashtruar pyetje dhe komente të tyre lidhur me këto draft dokumente.