Në amfiteatrin e Gjimnazit “Frang Bardhi” në Mitrovicë është mbajtur mbledhje përkujtimore kushtuar profesorëve, veprimtarëve dhe dëshmorëve të kombit, Murat dhe Enver Haliti, me rastin e 28-vjetorit të rënies së tyre.
Mbledhja përkujtimore u mbajt nën patronatin e Kryetarit të Komunës së Mitrovicës, Faton Peci.
Në këtë mbledhje morën pjesë kryetari, Faton Peci, nënkryetari, Enis Osmani, kryesuesi i Kuvendit, Safet Kamberi, deputetë të Kuvendit të Kosovës, drejtorë komunalë, familjarë të dëshmorëve, bashkëluftëtarë, si dhe kolegë të Gjimnazit “Frang Bardhi”.
Në fjalën e tij, kryetari Faton Peci, tha se sot përkujtojmë dy profesorët, veprimtarët dhe dëshmorët Murat dhe Enver Haliti, të rënë më 22 dhe 23 shtator të vitit 1998.
“Patriotizmi i tyre në rrugën e lirisë kishte rrënjët e tyre të ujitura me gjakun e të parëve. Të rralla janë rastet në histori që një familje sakrifikon 3 breza për liri, të fundit, dy profesorët nga një shtëpi që dhanë jetën për liri”, theksoj tutje kryetari Faton Peci.
Për figurën e dy të rënëve foli edhe profesor Fazli Hajrizi, ndërsa të pranishmëve iu drejtuan me fjalë edhe Arsim Haliti, i biri i Enver Halitit, si dhe Shkelzen Haliti, i biri i Murat Halitit.
Gjatë ceremonisë, u shfaq edhe një dokumentar kushtuar jetës dhe veprimtarisë së Murat dhe Enver Halitit.
Mbledhja përkujtimore përfundoi me zbulimin e pllakës përkujtimore në hollin e Gjimnazit “Frang Bardhi” në Mitrovicë, në nderim të kujtimit dhe kontributit të tyre